Policia e Shtetit ndau sot në rrjetet sociale pamje nga inspektimi i kryer në pikën kufitare të Morinës, që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, nga ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Tomlinson dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sipas njoftimit, inspektimi i fokusua tek puna që zhvillohet në këtë pikë kufitare për kontrollin e automjeteve, qytetarëve por edhe përdorimin e dronit përgjatë kufirit të gjelbër.

“Ministri Kundër Emigracionit të Paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar, Michael Tomlinson dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ndoqën në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës masat e marra nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit për t’iu kundërvënë krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm. Ata inspektuan kamerat e reja për njohjen e targave, të financuara nga Mbretëria e Bashkuar, në vlerën e 1.6 milionë paund, me qëllim gjurmimin e kriminelëve që lëvizin mes vendeve”, bën të ditur Policia e Shtetit.

“Ministrat morën pjesë gjithashtu në demonstrimin e dronëve të rinj, financuar nga Mbretëria e Bashkuar, në ndihmë të Policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës”, përfundon postimi.

Ky inspektimi i zhvilluar në pikën kufitare të Morinës, vjen në kuadër të edhe të Konferencës Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, e cila u zhvillua sot në Tiranë./ata