Prokuroria Sarandës njoftoi sot, se ka dërguar në Gjykatë dosjen hetimore ndaj tre të pandehurve, ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë dhe dy specialistëve, të cilët janë hetuar nën akuzën “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se lejuan legalizimin me dokumente false të një objekti katërkatësh.
“Pas hetimeve disa mujore Prokuroria e Sarandës, ka mbyllur hetimet duke proceduar penalisht ish-drejtoreshën e ASHK-së Sarandë, A.D., nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy ish-specialistët e ASHK Sarandë, E.S. dhe E. L., të cilët me veprimet e tyre të kundërligjshme kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi i cili ka përdorur dokumente të falsifikuara”, njofton Prokuroria e Sarandës.
“Ndaj shtetasve më sipër, me vendimin nr 113, datë 13.5.2024, pas kërkesës së organit të akuzës, është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj ish-drejtoreshës së ASHK Sarandë, për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç” është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit””, vijon njoftimi.
“Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar edhe ndaj shtetasit G. H., si personi që ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara. Nga këto veprime të kundërligjshme të specialistëve dhe ish-drejtoreshës së ASHK Sarandë, është tjetërsuar pasuria (truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godinë katër kate me sip. ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip. 1056 m2 aktivitet social-ekonomik)”, thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve të prokurorisë, “kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë territorin e vendit, i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokale të përfshire në paligjshmëri në ushtrim të detyrave shtetërore”./ata