Ministria e Brendshme e Shqipërisë do të bashkërendojë punën e grupit rajonal që do të ngrihet për luftën kundër të gjitha formave të migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar në nivel qendror dhe vendor. Grupi rajonal do të raportojë mbi ecurinë e punës çdo tre muaj.

Ky është angazhimi i ndërmarrë sot nga ministrat e Brendshëm të rajonit, përmes një deklarate të përbashkët, e cila u lexua nga ministri Taulant Balla, në përfundim të panelit të parë të Konferencës Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset Migratore përmes Ballkanit Perëndimor”, që po zhvillohet në Tiranë.

“Rekomandime për luftën kundër të gjitha formave të migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar në nivel qendror dhe vendor. Përfaqësuesit e partnerëve të këtij grupi rajonal të punës, do të raportojnë çdo tre muaj ministrave përkatës, duke nisur me raportimin e parë më 14 gusht 2024. Puna e grupit rajonal të punës do të bashkërendohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Anëtarët e grupit të përbashkët rajonal të punës do të përcaktojnë programin e përbashkët të punës gjatë muajit maj 2024”, tha Balla.

Këtë martë në Tiranë po mbahet Konferenca Ndërministeriale e vendeve të Ballkanit Perëndimor “Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset Migratore përmes Ballkanit Perëndimor”. Në panelin e parë ishin të pranishëm ministrat e Brendshëm të rajonit, përfaqësues të BE dhe FRONTEX. Në panelet e tjera do të diskutohet në nivel teknik mbi mënyrën se si do të përballohet lufta ndaj krimit formave të migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar në nivel qendror dhe vendor./ata