Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Türkiyes për bashkëpunimin për zhvillim dhe statusin e Zyrës së Koordinimit të Programeve të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Shqipëri”.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Türkiyes për bashkëpunimin për zhvillim dhe statusin e Zyrës së Koordinimit të Programeve të TIKA-s në Shqipëri” është miratuar në seancën e sotme parlamentare me 88 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, ndërkohë pjesa tjetër e deputeteve nuk kanë marrë pjesë në votim.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, në fjalën e tij në seancë u shpreh se marrëveshja në fjalë është një marrëveshje që bazohet në kuadrin ekzistues të marrëdhënieve miqësore midis dy shteteve dhe sipas tij vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me qëllim progresin ekonomik dhe social.
"Ajo që vlen të përmendet është se Qeveria e Türkiyes do të implementojë nëpërmjet TIKA-s programe dhe projekte konkrete nën ombrellën e kësaj marrëveshjeje, mbi bazë bilaterale ose në bashkëpunim me donatorë të tjerë, organizata shumëpalëshe, OJF(organizata jofitimprurëse), institucione publike dhe private", u shpreh Gonxhja.
Ministri Gonxhja në fjalën e tij gjithashtu theksoi se fushat e përcaktuara të bashkëpunimit sipas marrëveshjes janë gjithëpërfshirëse.
Sipas autoriteteve shqiptare, me anë të marrëveshjes të nënshkruar në Ankara më 20 shkurt 2024, palët do të bashkëpunojnë për zbatimin e projekteve dhe programeve, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të Shqipërisë.
Fushat e paracaktuara të bashkëpunimit përfshijnë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe pylltarisë, mbrojtjen e mjedisit, agroindustrinë dhe sigurinë ushqimore, ujin, zhvillimin rural, shëndetësinë, mbështetjen për uljen e varfërisë, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen për grupet vulnerabël, arsimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e inovacionit e të teknologjisë, turizmin, bashkëpunimin në fushën detare dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale e administrative, qendrore e vendore dhe fusha të tjera.
Pas ratifikimit, marrëveshje do të hyjë në fuqi pas dekretit të Presidentit Bajram Begaj dhe pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Kuvendi gjithashtu miratoi me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim edhe Projektligjin “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Traktati i nënshkruar më 28 shkurt 2024, sipas autoriteteve shqiptare ka si qëllim parësor vendosjen e themeleve politike të një partneriteti afatgjatë, konstruktiv dhe dinamik ndërmjet dy shteteve, si në terma dypalësh, ashtu edhe në ato shumëpalësh./aa