Një oficer i ushtrisë amerikane njoftoi se ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste për mbështetjen e SHBA-së për luftën e Izraelit në Gaza.

Harrison Mann, një oficer i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, tha në letrën e tij të dorëheqjes që ai publikoi në LinkedIn se "mbështetja pothuajse e pakualifikuar" e SHBA-së për Izraelin "mundësoi dhe fuqizoi vrasjen dhe vdekjen nga uria të dhjetëra mijëra palestinezëve të pafajshëm".

Duke thënë se puna e tij "kontribuoi pa dyshim në atë mbështetje", Mann tha: "Kjo më ka shkaktuar turp dhe faj të jashtëzakonshëm. Kjo mbështetje e pakushtëzuar gjithashtu inkurajon përshkallëzimin e pamatur që rrezikon një luftë më të gjerë".

Muajin e kaluar, Hala Rharrit, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj politikës së administratës amerikane në Rripin e Gazës.

Sipas faqes së saj në LinkedIn, Rharrit ka punuar në role të ndryshme në Departamentin e Shtetit që nga viti 2005 dhe ishte zëdhënëse për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut që nga gushti 2022.

Ajo është zyrtarja e tretë e Departamentit të Shtetit që ka dhënë dorëheqje publike që nga 7 tetori, pas Annelle Sheline, një oficere e marrëdhënieve të jashtme në Byronë e Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës, e cila njoftoi dorëheqjen e saj muajin e kaluar dhe Josh Paul, ish-drejtor i Byrosë së Çështjeve Politiko-Ushtarake, i cili shpalli publikisht dorëheqjen e tij më 19 tetor.

Izraeli ka vrarë të paktën 35.173 palestinezë në Gaza, si hakmarrje për një inkursion ndërkufitar të 7 tetorit nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Rreth 85 për qind e 2,3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur brenda enklavës, ku ka mungesë të gjerë të ushqimit, ujit dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa