Shkolla e mesme e bashkuar “Jusuf Hoti” në Katund të Ri të Durrësit, është rindërtuar më e sigurt dhe me standardet më të mira, duke ofruar mjedise me kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor për nxënësit, fëmijët e mësuesit.
Godina e re e shkollës bashkë me hapësirën tjetër ku do të vendoset kopshti dhe shkolla fillore me të njëjtin emër do të presin 285 nxënës dhe 50 fëmijë, të cilët do të zhvillojnë procesin mësimor në ambiente me standarde bashkëkohore”,
Kjo shkollë është riparuar dhe përforcuar plotësisht si pjesë e Projektit “Mbështetje për Infrastrukturën Komunitare” (CIS), financuar nga qeveria e Danimarkës, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, dhe me bashkëfinancim nga bashkia Durrës dhe zbatim nga PNUD nëpërmjet Fondit për Arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Njëkohësisht, pranë këtij objekti është ndërtuar nga e para edhe kopshti për komunitetin e zonës.
16 000 banorë të komunitetit do të jenë përfituesit e këtij investimi për të ardhmen, që garanton standarde bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.
Shkolla e mesme e bashkuar “Jusuf Hoti” në Katund të Ri, bashkë me shkollën 9-vjeçare “Zyber Sallaku” në Manëz; dhe kopshtin “Isuf Ferra” (& palestrën e shkollës) në Shkozet janë 3 objektet arsimore në Durrës, pjesë e ndërhyrjeve të Projektit CIS.
Punimet e këtyre objekteve janë zhvilluar në linjë me parimet themelore të Rindërtojmë më mirë, për të ofruar mjedise të modernizuara, eficiente ndaj energjisë dhe me aksesueshmëri të lartë për personat me aftësi të kufizuara.
Shkolla “Jusuf Hoti” ka 10 klasa, 3 laboratorë, sallë shumëfunksionale, bibliotekë, dhomë infermieri e psikologu.
Në qytetin e Durrësit janë rindërtuar 20 objekte arsimore, ndërsa 17 të tjera janë në proces për të bërë të mundur mbylljen e Programit të Rindërtimit me buxhetin e qeverisë shqiptare dhe donatorëve të huaj deri në vitin 2024./ata