Rritja e ndjeshme e numrit të turistëve që vizitojnë Beratin ka sjellë po ashtu edhe rritjen e numrit të strukturave hoteliere e bujtinave tradicionale.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga një prej bujtinave që ndodhet në lagjen Mangalem, e cila pret turistë vendas e të huaj.
“Në zemër të lagjes Mangalem në Berat, ndodhet Bujtina “Kodikët”, një banesë e rrallë e cila ka ruajtur karakteristikat e ndërtesave me gjysmëkat, tepër e frekuentuar nga turistët vendas e të huaj, të cilët kanë gjetur aty edhe mikpritjen e ngrohtë dhe kuzhinën tipike beratase për të cilën kujdeset vetë e zonja e shtëpisë, Vasilika Gogu”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se prej vitit 1961, kjo pasuri mban statusin juridik monument kulture i kategorisë së parë.
Berati vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti Berati u vizitua nga nga afërsisht 20 000 turistë, rreth 20% më shumë se në janar 2023. Po ashtu, numri i vizitorëve u rrit me 31% edhe në Muzeun Ikonografik Onufri./ata