Në fillim të këtij muaji, një ekip i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), si pjesë e programit të kontrollit biologjik për dëmtuesit e gështenjës, nisën lëshimin e grerëzës aziatike në masivin e gështenjave të Tropojës.

Me mbështetjen e projektit “One country, one priority product” të FAO, u mundësua për herë të parë koncepti i luftës biologjike nëpërmjet hedhjes së mizës së gështenjës në Tropojë.

Ky është një proces i rëndësishëm i luftës biologjike, që mbron gështenjat nga dëmtuesit duke ruajtur e siguruar prodhimin.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se qeveria është e angazhuar për krijimin e zinxhirit të vlerës për këtë produkt, në mënyrë biologjike për të ruajtur mjedisin, krijuar vlerë ekonomike dhe rrjetëzim të produkteve të mrekullueshme “Made in Albania”.

Në Konferencën Rajonale të 34-të të FAO-s që po mbahet në Romë, Denaj prezantoi kolegëve nga Europa gështenjën e Tropojës dhe Reçit.

“Me mbështetjen e projektit “One country, one priority product” të FAO, u mundësua për herë të parë koncepti i luftës biologjike nëpërmjet hedhjes së mizës së gështenjës. Kjo procedurë po zgjerohet edhe për zonën e Reçit, në Malësinë e Madhe. Jemi angazhuar për krijimin e zinxhirit të vlerës për këtë produkt, në mënyrë biologjike për të ruajtur mjedisin, krijuar vlerë ekonomike dhe rrjetëzim të produkteve të mrekullueshme “Made in Albania””, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja theksoi se po krijohet “pasaporta” e produkteve shqiptare.

“Jo vetëm Mrizi i Zanave Agroturizëm, Chestnut Hill “Kodra e Geshtenjave“ dhe Lea Shpk ku prezantimi i produkteve te tyre ishte mbresëlënës, por në të gjithë Shqipërinë ku prodhohet produkt cilësor po krijojmë “pasaportën” tonë të ushqimit me të cilën krenohemi së bashku me fermerët, prodhuesit dhe përpunuesit vendas”, tha ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./ata