Në kuadër të binjakëzimit që bashkia Vlorë, prej vitesh, ka me bashkinë e Bocholt-it në Gjermani, në kulturë, sport, edukim dhe turizëm, erdhi për një vizitë treditore kryetari i kësaj bashkie Thomas Kerkoff, nënkryetari, Björn Volmering i ngarkuar për kulturën, arsimin dhe çështjet sociale; Brahim Krasniqi, kryetari i shoqatës Gjermani-Shqipëri dhe nënkryetari, Agim Rama.
Lajmi bëhet me dije nga kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha.
“Me shumë kënaqësi dhe me mirënjohjen për interesin e treguar ndaj qytetit tonë, i mirëpritëm miqtë në Bashkinë Vlorë, ku zhvilluam një takim shumë të frytshëm, me kryefjalë vijimin e binjakëzimit, hapat e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi dhe mekanizmat që do ta bëjnë këtë binjakëzim aktiv dhe në të mirë të zhvillimit të mëtejshëm të qytetit tonë”, tha Dredha.
Ai ndau në rrjete sociale momente nga vizita që zhvilloi në Vlorë delegacioni gjerman nga bashkia Bocholt.
Delegacioni gjerman realizoi tre takime të rëndësishme gjatë vizitës së tij.
Fillimisht, ata inspektuan zonën e Aeroportit të Vlorës, ku punimet po përparojnë me shpejtësi. Më pas, delegacioni vizitoi ambientet e Fabrikës së Vajit “Musa”, ku u njohën me makineritë moderne të prodhimit të vajit ekstra të virgjër.
Vizita u përmbyll me një takim me operatorët turistikë të Bashkisë Vlorë në ambientet e hotelit “Regina City Lungomare”, ku u diskutua për trajnimet e stafeve të operatorëve turistikë, shkëmbimin e eksperiencave dhe rritjen e kapaciteteve akomoduese për të përballuar fluksin në rritje të turistëve që pritet të vijnë.
Bashkëpunimi mes bashkisë Vlorë dhe asaj të Bocholt-it, synon të forcohet më tej në të gjitha fushat, duke shpeshtuar kontaktet dhe komunikimin e konkretizuar me projekte dhe realizim investimesh./ata