ransformimi urban i Lezhës është shtrirë tashmë në të gjitha lagjet dhe sheshet e qytetit, të cilat përveçse janë lehtësisht të aksesueshme nga qytetarët, janë zgjeruar me hapësira të reja rekreative, parqe të gjelbëruara dhe kënde lojërash për fëmijët.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu pa nga afër disa nga punët publike të përfunduara tashmë, si dhe të tjera në faza të ndryshme të punimeve.
Një ndër investimet e kryera në Lezhë është edhe rikonstruksioni i urës së vjetër mbi lumin Drin në Lezhë,e cila pas rikonstruksionit është tashmë e kalueshme për këmbësorët dhe automjetet.
Kjo urë është bërë një pikë kalimi e rëndësishme për këtë qytet dhe një investim i shumëpritur për banorët.
Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga takimi me qytetarët gjatë vizitës së djeshme në Lezhë.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Ndreu tha se “ka qenë një urë e degraduar, e vjetër. Ishte shumë e ngushtë dhe këmbësorët nuk mund të ecnin”.
“Kjo urë është rikonstruktuar edhe për zonën industriale, duke çliruar qytetin nga trajlerët me tulla”, theksoi Ndreu.
Ndreu u shpreh se “është rikualifikuar komplet zona, por nuk ka mbaruar akoma. Do jetë atraktive edhe për njerëzit. Është pastruar, është rregulluar. Lezha nuk mbytet më, sepse po disiplinohen gjithë ujërat e shiut”.
Kryeministri Rama tha se duhet të trajtohet nga urbane edhe zona përreth urës.
Gjatë vizitës në Lezhë, Rama u takua edhe me qytetarët, të cilët e falënderuan për investimet e kryera në Lezhë.
“Faleminderit për të gjithë punët e mira që ke bërë në Shqipëri dhe fjalimin madhështor që ke mbajtur në Athinë”, iu drejtua një qytetar Ramës.
Ura e re ndihmon lëvizjen e gjithë banorëve të lagjes “Skënderbej”, të ish-zonës industriale të qytetit dhe periferive, por dhe në shfryrjen e trafikut, kryesisht gjatë sezonit turistik të verës.
Ndërkohë automjetet e tonazheve të rënda nuk do të kalojnë më përmes qendrës së qytetit, si më parë, por nga kjo urë e re, e cila lidhet nga një segment i shkurtër rrugor me aksin kryesor Lezhë-Shkodër.
Ndër projektet e shumëpritura për banorët e Lezhës e sidomos për të vegjlit dhe të rinjtë, është dhe parku i lojërave “Dua të Luaj”, i përfunduar, në kuadër të programit kombëtar të Fondit Shqiptar i Zhvillimit, i cili ofron për fëmijët hapësira shumëfunksionale me kushte optimale për argëtim dhe edukim, si dhe bashkëveprimin social në komunitet./ata