Interesi i vizitorëve për historinë e muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë është mbresëlënës. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja publikoi sot shifrat e vizitueshmërisë së muzeut të Krujës, ku vetëm për periudhën janar-prill 2024, ky muze ka mirëpritur 32,178 vizitorë, shifër e cila është 134.14 % më e lartë se ajo e një viti më parë.
Të huajt vijojnë të tregojnë interes për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti me atë të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Nga janari deri në dhjetor të 2023 Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u vizitua nga 110,162 vizitorë, ku 50% ishin vizitorë të huaj, 30% vendas dhe 20% nxënës dhe studentë.
Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në muze numërohen disa pavijone si, pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i Principatave Shqiptare, i Pushtimit Osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princave, e pinakotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës./ata