Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për të diskutuar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE).
Presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale, tha se në bisedë me homologun gjerman Steinmeier ka cekur rëndësinë për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
"Dje kam biseduar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. E kam cekur rëndësinë kritike për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, për të siguruar që gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt të jetë e mundur nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte fitore vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat qëndron fuqishëm", ka shkruar Osmani.
Gjermania e Franca kanë qenë dy prej vendeve që kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në KiE me dërgimin në Kushtetuese të draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Komiteti i Ministrave të KiE-së do të mblidhet më 16 dhe 17 maj. Votimi për aplikimin e Kosovës për anëtarësim ende nuk është në agjendë. Kosovës i duhet kaluar edhe ky votim për t'u anëtarësuar plotësisht në KiE.
Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së të 17 majit, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajçak për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset në agjendën e ministrave të Jashtëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se qeveria që udhëheqë ai nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar "absurd" një kushtëzim të tillë./aa