Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me rektorët e sapozgjedhur të universiteteve publike, me të cilët diskutoi mbi draft-dokumentin e Politikave të Zhvillimit të Arsimit të Lartë 2030 si dhe përcaktuan prioritetet strategjike afatshkurtra dhe afatmesme.

Manastirliu tha se “këto prioritete kanë synim përmirësimin e ofertës akademike përmes ndërkombëtarizimit, hapjes së programeve të përbashkëta, diplomave dyfishe dhe filialeve të universiteteve prestigjoze europiane dhe mbështetjen studentore dhe sigurimin e kushteve më të larta të mësimdhënies, kërkimit shkencor, praktikave të punësimit dhe punësimit sipas nevojave të tregut”.

Një tjetër prioritet, vijoi Manastirliu është edhe zhvillimi dhe riorganizimi i kërkimit shkencor dhe përfshirjen e diasporës akademike, si dhe mbështetje për stafet akademike për të shfrytëzuar mundësitë përmes projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Sipas ministres Manastriliu vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe digjitalizimit të shërbimeve arsimore dhe platformën e re të informacionit për kërkimin shkencor dhe punën kërkimore të stafit akademik (ACRIS) dhe rritjes së cilësisë, modernizimin e kurrikulave dhe programeve të studimit përmes zhvillimit të instrumenteve të reja të vlerësimit të brendshëm, të jashtëm dhe rritjes së financimit.

Ministrja Manastirliu theksoi se “jemi të vendosur  për të ecur më shpejt për t’iu përgjigjur sfidave të zhvillimit social, ekonomik, teknologjik dhe demografik, për të fuqizuar kapitalin njerëzor dhe rritur produktivitetin, ku roli i universiteteve mbetet kyç dhe i pazëvendësueshëm”./ata