Ministri i Brendshëm Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit u ndal sot edhe tek takimi i Kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë.

Balla tha se Kryeministri Rama, që prej marrjes së drejtimit të Partisë Socialiste ka zhvilluar bashkëbisedime të shumta me shqiptarët jashtë kufirit.

Balla tha se marrëveshja për pensionet me Italinë është prej marrëveshjeve të ngjashme që Qeveria ka sjellë për miratim, pasi siç u shpreh ai “është e vetmja Qeveri, e cila në fakt prej vitit 2013 me Kryeministrin Edi Rama krijoi këtë mundësi për të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë bashkëatdhetarët që jetojnë prej vitesh kudo në botë të kenë mundësinë që për aq ditë, për aq muaj për aq vite, që kanë punuar në këto vende kontributet shoqërore të derdhura tu njihen për efekt pensioni në Shqipëri”.

“E me qenë se e përmenda brenda kohës nëse do kisha qenë në vendin tuaj shumë prej jush që folët dhe përpjekja për të imituar keqas udhëheqësin shpirtëror, i cili ka komplet hall tjetër nuk do ta kisha prekur fare takimin e KM Rama me bashkëatdhetarët tanë në Athinë se t’ju them të drejtën nuk ke dot asgjë të thuash sepse e vërteta është që Edi Rama këtë gjë e ka bërë prej ditës së parë kur ka marrë drejtimin e PS”, u shpreh Balla.

“Gjatë 8 viteve në opozitë kanë qenë të shumta takimet që kemi zhvilluar me bashkë-atdhetarët tanë jo vetëm në Athinë dhe natyrshëm që kjo qasje e PS, e cila do të vazhdojë është një urë që prej Athinës në 26 maj shkon në Milano, në 2 qershor me vëllezërit dhe motrat tanë në Londër dhe në 16 qershor për t’u bërë të gjithë bashkë edhe me disa prej jush që keni programuar të ndiqni ekipin tonë kombëtar kuqezi në Duseldorf”, tha ai.

“Tani se çfarë problemi keni ju se pse takohet KM me bashkëatdhetarët e më rëndë akoma mos keni gjë me mesazhet që u dhanë në Athinë. Më thoni një prej tyre, prej atyre çështjeve që ju jeni kundër. Që shqiptarët nuk janë më ata që ishin para 30 viteve në Athinë. Edhe unë kam qenë emigrant në Greqi dhe e di të them të drejtën vështirësitë që jemi përplasur, por e di shumë mirë që sot shqiptarët atje janë sipërmarrës, janë shkencëtar nëse doni, janë avokat dhe minimalisht duhet t’jua nxërë goja edhe ju që ne jemi krenar për vëllezërit dhe motrat tanë që jetojnë dhe punojnë me krenari si shqiptarë kudo që ata janë”, përfundoi Balla./ata