Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, i bëri sot thirrje policisë kriminale që t’i rikthehet hetimeve për krijimin e Strukturës së Armatosur të PD për Mbrojtjen e Votës (SMV) në zgjedhjet parlamentare të 2021.

Nisur nga rasti i Azgan Mërnicës, vrasësit të efektivit të Shqiponjave në Fier, Novruz Cenalia, që rezultoi se ka qenë pjesë e këtyre strukturave si dhe rastit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan në 2021-in, Felaj nënvizoi se, kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjent kriminal nga opozita.

Felaj theksoi se kjo çështje ka ngelur pa u hetuar sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente.

“Mua më kanë zhgënjyer kolegë deputetë të opozitës me reagimet e tyre për rastin e ngjarjes së rëndë në Fier. Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë që këta njerëz janë përdorur nga politika në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës, për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën”, tha Felaj.

“Ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier. Është dhe dikush tjetër që është duke vuajtur dënimin me burg për mbrojtjen e votës në qarkun e Fierit. Kjo tregon se në zgjedhjet e 2021 janë mobilizuar e rekrutuar elementë kontigjent kriminal. Kjo çështje ka ngelur pa u hetuar sepse me të është marrë prokuroria jo kompetente”, theksoi Felaj.

“Ftoj policinë kriminale, dhe s’ka nevojë të bëjë kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave. T’i rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë kontingjent kriminal pas vetes për të mbledhur votën, sepse janë grupe kriminale dhe këtu do doja të kishte vëmendje dhe SPAK, sepse kjo nuk është lëndë për prokurorinë e Elbasanit, por për BKH dhe SPAK, dhe policinë kriminale”, tha Felaj.

Felaj u shpreh e zhgënjyer edhe nga reagimet e deputetëve të opozitës sa i përket vrasjes së policit.

“Unë besoj se edhe politika duhet të gjejë një përgjegjësi të vetën, sepse mënyra sesi ne sillemi e artikulohemi, sesi kërkojmë të bëjmë për vete qytetarët, duke harruar se policët janë punonjës shteti, në funksion të institucioneve të shtetit e jo në funksion të politikanëve. Të heqim dorë nga mentalitetet e të shkuarës”, tha ajo.

“E thashë, deputetë tanët këtu kanë mbajtur deklarata zhgënjyese as nuk kanë ngushëlluar për humbjen e një jete të re të një punonjësi me uniformë, as nuk janë distancuar nga personi në fjalë, as nuk i kërkuan që të dorëzohej, e për më tepër i kanë bërë këto deklarata teksa mbahej protesta para bashkisë Tiranë”, shtoi deputetja.

Në këtë kuadër, Felaj e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale – INTERPOL.

“Marrëveshja është shumë e rëndësishme. Është hera e parë që mbahet një konferencë e kësaj natyre e INTERPOL në Tiranë. Besoj që të gjithëve duhet t’u thotë që policia nuk është thjesht organi më i besuar nga qytetarët, por është e besuar dhe nga policitë partnere”, u shpreh Felaj.

“Interpol është organizatë policore e lidhur ngushtë me policinë kriminale. Mbajtja e kësaj konference në Tiranë, pjesëmarrja e shumë delegacioneve, do të jetë mundësi e mirë pune dhe mundësi për policinë kriminale që të rrisë standardet e punës dhe profesionalizmit”, shtoi Felaj.

Referuar të dhënave nga fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, nënkryetarja e Kuvendit ndau dy të dhëna, “koeficenti kriminal në Shqipëri në krahasim me 2022 ka ardhur duke u ulur dhe ky është një lajm i mirë. 800 është koeficenti i kryerjes së veprave penale.

“Por e dhëna që na tërhoqi vëmendjen dhe që shumëkënd e ka shqetësuar, është ajo se cila është vepra më e përhapur penale. Krimi më i përhapur rezulton për krime që drejtohen kundër autoritetit shtetëror. Bëhet fjalë për vepra që drejtohen ndaj punonjësve me uniformë”, shtoi deputetja./ata