Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, njëkohësisht nënkryetar i PD-së, Gazment Bardhi dhe nënkryetari i Kuvendit dhe nënkryetar i PD, Agron Gjekmarkaj po zhvillojnë një vizitë në Gjermani.

Ata kanë zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështje Europiane në Bundestag dhe më pas një takim të veçantë me kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane Anton Hofreiter.

Lajmin e ka bërë të ditur Gazment Bardhi në një postim në rrjetet sociale, ku thekson se procesi i integrimit europian duhet të jetë i vërtetë, të shoqërohet me përafrim tek standardet europiane, tek institucionet që japin llogari dhe që respektojnë parimin e ndarjes e balancimit mes pushteteve.

“Nga ky proces shqiptarët duhet të përfitojnë një qeverisje të përkushtuar në shërbim të tyre, të dalë nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe më shumë mirëqenie dhe siguri”, theksoi Bardhi.

“Shteti ligjor, gjyqësori i pavarur, standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, lufta ndaj korrupsionit, situata politike në vend dhe opozita funksionale, ishin disa nga çështjet për të cilat diskutuam në seancën dëgjimore në Komision”, nënvizoi Bardhi.

“Shqipëria, kandidate për anëtare në Bashkimin Europian, duhet të ndjekë standardet e Gjermanisë, dhe jo standardet e Serbisë apo Gjeorgjisë”, shtoi Bardhi.

“Gjermania, ka qenë dhe mbetet, një partner kyç në rrugën europiane të Shqipërisë. Ndihma e vyer e partnerëve tanë gjerman, na bën besimplotë se shqiptarët nuk janë vetëm në përpjekjen e tyre për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Bardhi./ata