Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, para fillimit të Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, që po mbahet sot në Kotorr të Malit të Zi, ka deklaruar se këtë vit po shënohet 10-vjetori i Procesit të Berlinit dhe pret që të kenë një bashkëpunim më të mirë, që nënkupton njohjen reciproke de facto dhe de jure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Para fillimit të samitit, Kurti tha se përmendi planin “Patkoi” të Serbisë, i cili kishte për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve, të cilët gjetën strehim në Mal të Zi, ndërsa tani ky shtet po mbledh liderët e rajonit.

“Takimi i tretë i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor 6 që të bashkohen dhe të diskutojnë se si mund të integrohen më tej duke bërë reforma në vend, por në të njëjtën kohë, për të parë se si mund të bëjmë më shumë dhe më mirë me Bashkimin Evropian në kuptimin e përfitimit të programeve mbështetëse nga Plani i Rritjes së BE-së, i cili në të njëjtën kohë do të na ofrojë akses në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Ne do të shënojmë 10 vjet të Procesit të Berlinit këtë vit dhe presim që të kemi një bashkëpunim më të mirë, që nënkupton njohjen reciproke defakto dhe dejure të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast më lejoni të shpreh se jemi të pakënaqur me faktin se Bosnja dhe Hercegovina ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes vetëm me letërnjoftime, për të cilën kemi rënë dakord 18 vjet më parë”, tha ai.

Liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

Samiti po mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë po marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.

Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në – dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.

/KosovaPress/