“Fiksimi ynë është që Shqipëria e 2030 të jetë gati për t’u ulur në tryezën e familjes së bashkuar europiane”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim me gazetarët shqiptarë, para kthimit nga Samiti Rajonal i Ballkanit Perëndimor me BE-në që u zhvillua sot në Kotorr, Mali i Zi.

I pyetur lidhur me deklaratën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç se integrimi mund të zgjasë me 5 vite dhe Ukraina mund të anëtarësohet më herët, Rama tha se “tani që presidenti i Serbisë dhe Serbia të jetë më pesimiste se ne dhe se Shqipëria, kjo është gjëja më normale”.

“Ne nuk jemi Serbia, ne jemi Europa e Ballkanit dhe ne jemi Shqipëria, që me të drejtën e Zotit, edhe me të drejtën e popullit shqiptar kërkon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian, dhe ndërkohë për këtë po punojmë në mënyrë të përditshme”, theksoi Rama./ata