Kryeministri Edi Rama tha sot se i ka thënë JO vendeve të tjera që kanë shprehur interes për të arritur një marrëveshje si ajo e nënshkruar me Italinë për emigrantët e paligjshëm.

Rama, nga Kotorri, Mali i Zi, ku mori pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të BE, për planin e rritjes, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, tha se marrëdhënia me Italinë është një histori tjetër dhe nuk mund të përsëritet me vendet e tjera. Ai pranoi se ka patur shprehje interesi qoftë nga Britania e Madhe, qoftë dhe nga vende të tjera.

“Ka pasur një shprehje dëshire nga ana e Britanisë së Madhe dhe jo vetëm, edhe e disa vendeve të tjera lidhur me këtë dhe jo pas, por edhe përpara se të ndodhte marrëveshja jonë me Italinë, por përgjigjja ime ka qenë e prerë “JO” dhe mbetet e prerë “JO”. Italia është një histori tjetër dhe është një realitet tjetër në tablonë e marrëdhënieve tona miqësore dhe marrëdhënieve tona ndërkombëtare kështu që i kam shpjeguar të gjitha arsyet pse Italia ha bukë veç”, tha Rama./ata