Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit”.
Balluku tha se, “marrëveshja për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona është hapi i radhës që synon të thellojë këtë marrëdhënie, që pavarësisht shumë kilometrave larg nga ana tjetër gjejmë mënyrën për të ndërtuar ura të forta dhe padyshim një bashkëpunim largpamës”.
“Hapja e ambasadës së Azerbajxhanit në Shqipëri është një vendim i mirëpritur dhe një dëshmi e synimeve serioze të Bakusë në lidhje me partneritetin me Tiranën dhe që do të rrisë më tej bashkëpunimin tonë dhe do të sigurojë një urë të shpejtë dhe efikase komunikimi mes nesh”, u shpreh Balluku.
Zv/kryeministrja theksoi se, “Shqipëria gjithashtu do të përgjigjet dhe do të hapë ambasadën e saj në Baku brenda vitit 2024”.
“Shqipëria gjithashtu është përgatitur për një bashkëpunim shumë intensiv për sa i përket fushës së gazifikimit të vendit bazuar në strategjinë që ne kemi publikuar prej kohësh”, shtoi më tej Balluku.
Balluku nënvizoi se, “në fushën e energjisë kemi tashmë një urë të ngritur bashkëpunimi. Një bashkëpunim të plotë, pasi Shqipëria prej vitesh së bashku me Azerbajxhanin është pjesë e atij që natyrshëm quhet korridori jugor i gazit që nis në Azerbajxhan dhe kalon përmes Shqipërisë për të shpërndarë më pas gazin natyror në të gjithë Europën”.
“Zbatimi i suksesshëm i TAP hapi mundësi të reja bashkëpunimi përfshirë projekte të gazifikimit të qyteteve tona, duke nisur kështu nga një qytet pilot siç është ai i Korçës që e kemi zgjedhur për të nisur implementimin e këtij projekti të madh dhe më pas për të vazhduar me qytetin e Pogradecit apo dhe me qytete të tjera në Republikën e Shqipërisë”, tha Balluku.
Marrëveshja e re, u shpreh Balluku, “parashikon shtrijren e bashkëpunimit dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm si turizmi bujqësia, investimet dhe padyshim arsimi dhe kultura, ku Azerbajxhani në vitet e fundit në fushën e arsimit ka shkëlqyer edhe përmes paketave incentivuese për të rinjtë, të cilët studiojnë në vende të ndryshme të botës dhe më pas kthehen me ekspertizën e tyre në Azerbajxhan”
“Të dy vendet dëshirojnë të stimulojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe investimeve dhe të inkurajojnë kontaktet dhe shkëmbimet midis ministrive dhe agjencive tona përkatëse, Dhomave të Tregtisë, organizimin e forumeve të përbashkëta të biznesit, misionet dhe takimet bilaterale”, tha Balluku.
“Jemi shumë të prirur për të pritur turistët azerbajxhanas në Shqiëpri, por edhe për të rritur fluksin e shqiptarëve që vizitojnë vendin mik. Për këtë arsye kemi diskutuar gjerësisht me Ministrinë e Transportit dhe me Autoritetin e Aviacionit Civil për vendosjen e një linje direkte mes Bakusë dhe Tiranës në muajt në vazhdim”, theksoi Balluku./ata