Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, prezantoi sot Arben Çukon, si prefektin e ri të qarkut të Fierit.
Zv.kryeministrja Balluku dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilluan sot një tryezë diskutimi me prefektët për sezonin turistik dhe menaxhimin e emergjencave, dhe rolin e tyre të rëndësishëm në koordinimin e institucioneve dhe agjencive shtetërore në qark.
Fillimisht Balluku prezantoi Arben Çukon, i cili, sipas saj, “merr detyrën si prefekt i Fierit në një moment shumë të rëndësishëm për qarkun”.
“Në qarkun e Fierit po punohet intensivisht për sa i përket paketës ekonomike duke nisur nga ndërmarrjet e reja industriale që po ndërtohen këtu, siç është rasti i ‘Yura”, ku kemi më shumë se 2 mijë punonjës, apo edhe në të gjitha fermat bujqësore, pikat e grumbullimit e kudo tjetër”, tha Balluku.
Ajo theksoi se ky është një moment ku infrastruktura vazhdon me progres të rëndësishëm.
“Kemi plane me të vërtetë për të ardhmen për të vazhduar edhe investimet përmes pushtetit vendor apo Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Patjetër që Fieri si qarku i dytë më i madh në vend duhet të kishte drejtimin e duhur”, tha ajo./ata