Qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe Kinës ka arritur një moment historik të ri, duke shkuar në 240 miliardë dollarë, tha sot presidenti rus Vladimir Putin.

Duke folur në një konferencë për media në Pekin pas një takimi me presidentin kinez Xi Jinping, Putin tha se megjithëse mund të ketë mospërputhje të vogla në shifrat e raportuara nga Rusia dhe Kina, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë pasqyron me saktësi lidhjet e forta ekonomike midis dy kombeve.

Rusia dhe Kina kanë plane konkrete për të rritur bashkëpunimin në sektorin e energjisë, shtoi ai.

Në përgjigje të sanksioneve perëndimore, Rusia synon të forcojë bashkëpunimin me Kinën në industrinë e automobilave dhe pajisjeve shtëpiake, tha Putin.

Të dyja vendet kanë marrë gjithashtu masa për të mbrojtur tregtinë dhe investimet e tyre dypalëshe nga kufizimet e jashtme, ku sektori financiar është veçanërisht i mbrojtur nga çdo efekt negativ, vuri në dukje ai, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi më të ngushtë midis bankave.

Në lidhje me vizitën e tij në Kinë, Putin nënvizoi rëndësinë e saj, duke vënë në dukje si implikimet e saj simbolike, ashtu edhe ato praktike. Agjenda e vizitës është e gjerë dhe pasqyron thellësinë e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës, tha ai.

Putin dhe Xi nënshkruan gjithashtu një deklaratë të përbashkët për të thelluar partneritetin strategjik për "një epokë të re", ndërsa dy vendet shënojnë 75-vjetorin e lidhjeve diplomatike./aa