Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë thirrje që më shumë vende të njohin shtetin e Palestinës.

“Lufta për liri, për të cilën palestinezët kanë paguar çmime të rënda, duhet të mbështetet nga i gjithë njerëzimi në bazë të ligjit dhe diplomacisë”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me kryeministrin gjeorgjian, Irakli Kobakhidze.

Më tej, presidenti Erdoğan tha se ai dhe kryeministri Kobakhidze u përqendruan në hapat për të rritur “efektivitetin” e të dy vendeve në luftimin e grupeve terroriste dhe krimit të organizuar, veçanërisht të organizatave terroriste PKK dhe FETO.

Duke iu referuar të shtënave të djeshme që shënjestruan kryeministrin sllovak, Robert Fico, Erdoğan u zotua se do të “vazhdojë të qëndrojë kundër çdo veprimi që kërcënon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”.

Ai gjithashtu theksoi se Türkiye vazhdon punën për “riaktivizimin” e plotë të hekurudhës Baku-Tbilisi-Kars, të cilën e quajti shtyllë kurrizore e Korridorit të Mesëm./aa