Nëntëmbëdhjetë ditë përpara se Vladimir Putin të urdhëronte trupat e tij të pushtonin Ukrainën më shkurt të 2022, Rusia lëshoi një satelit të ri eksperimental të quajtur Cosmos-2553 në hapësirë. Dy vjet më vonë, burimet amerikane të spiunazhit e përshkruajnë atë si prototipin e një arme bërthamore kundër satelitëve e aftë për të kërcënuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të ndryshuar ekuilibrat botërorë: Kjo është arma sekrete e Kremlinit për të cilën Uashingtoni po flet gjithnjë e më shumë me shqetësim.
"Kjo është kriza e raketave kubane transportuar në hapësirë," thotë Mike Turner, kongresmeni republikan që kryeson komitetin e inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.
Duke cituar zyrtarë anonimë të administratës së Bidenit, Wall Street Journal zbuloi se kur u bë nisja e Cosmos 2553 dhe potencialin e tij. Cosmos-2553 nuk është e pajisur me bomba bërthamore, por sipas burimeve amerikane është pjesë e një programi sekret rus me këtë objektiv.
Në momentin që pajiset me armë bërthamore, sateliti do të kishte aftësinë të shkatërronte qindra satelitë që rrethojnë tokën me një shpërthim bërthamor, duke rrëzuar rrjetet thelbësore të komunikimit ushtarak dhe civil. Në skenarin e një konflikti jokonvencional midis Amerikës dhe Rusisë, një armë e tillë do t'i jepte Moskës një avantazh vendimtar.
Lajmi i parë mbi ekzistencën e një sateliti eksperimental rus të krijuar për të fituar "luftën e yjeve" qarkulloi shkurtin e kaluar, kur kongresmeni Turner bëri një deklaratë misterioze për një "kërcënim serioz për sigurinë kombëtare amerikane" të paspecifikuar, duke i kërkuar presidentit Biden të deklasifikonte informacionin mbi çështje. Shtëpia e Bardhë më vonë konfirmoi publikisht se Rusia po krijon një "aftësi anti-satelitore".
Nga ana e tij, Putin e mohoi duke deklaruar se Rusia ka qenë dhe mbetet gjithmonë "kategorikisht kundër instalimit të armëve bërthamore në hapësirë". Në vitet 1980, kur gjatë presidencës së Ronald Reganit, Shtetet e Bashkuara zhvilluan plane për të instaluar një "mburojë hapësinore" në hapësirë, të aftë për të ndaluar një sulm të mundshëm nga raketat ndërkontinentale ruse, Moska e denoncoi atë si një destabilizim të rrezikshëm. Plani, fizibiliteti i të cilit mbeti për t'u verifikuar, më pas u braktis. Tani "Star Wars (Lufta e Yjeve)", e marrë nga titulli i një filmi të famshëm të atyre viteve, është kthyer në lajm, me Moskën në rolin e destabilizuesit të mundshëm.
Sipas Kremlinit, sateliti i lëshuar në shkurt të 2022 ka vetëm qëllimin e kërkimit shkencor. Por ekspertët amerikanë vërejnë se ajo është në një orbitë të pazakontë, e papërdorur nga anije të tjera kozmike dhe jo aq e lartë sa të lejojë eksperimentet shkencore të cituara nga Moska. Informacionet e mbledhura nga gazeta Wall Street tregojnë se, nëse është i armatosur me një kokë atomike, një satelit si Cosmos-2553 mund të shkatërrojë satelitët e shumtë që rrotullohen rreth Tokës në lartësi të ulët: një zonë në të cilën kompanitë private dhe qeveritare amerikane kanë më shumë satelitë se çdo komb tjetër. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë 6700 satelitë në këtë orbitë të Tokës, ndërsa Kina ka 780 dhe Rusia 149. Disa nga këta satelitë amerikanë i kanë ofruar ndihmë kryesore Ukrainës në luftë për t'i rezistuar pushtimit rus.
Një shpërthim bërthamor i nisur nga një satelit i Moskës mund të shkaktojë ndërprerje në komunikimet dhe aktivitetet e vëzhgimit perëndimor, duke e bërë të pamundur operimin në atë orbitë për më shumë se një vit, me pasoja katastrofike në rast të një konflikti midis dy superfuqive. Kjo është arsyeja pse deputeti Turner evokon "krizën kubane": kur në vitin 1962 Republika e Bashkimit Sovjetik, shteti paraardhës i Rusisë së sotme, vendosi fshehurazi raketa bërthamore në ishullin e saj aleat 60 kilometra larg brigjeve amerikane. Bota më afër i erdhi Luftës së Tretë Botërore, por sfida përfundoi me tërheqjen e raketave sovjetike nga Kuba, vetëm përballë bllokadës të urdhëruar nga Presidenti Kennedy./Shqiptarja