Gjatë vizitës që po zhvillon në Spanjë, ministri i Brendshëm Taulant Balla është interesuar për organizimin dhe praktikat e punës të policisë rrugore.
Gjatë një bisede me patrullën e Policisë Rrugore të Madridit, ministri Balla u informua në lidhje me menaxhimin e trafikut si dhe u njoh me pajisjet që ata përdorin për monitorimin e trafikut, kamerat e trupit, mjetet elektrike, pajisjet për kontrollin e pijeve alkoolike etj.
Ekspertët i shpjeguan ministrit dhe delegacionit shqiptar që përbëhej nga zyrtarë të lartë të Policisë, se për menaxhimin e trafikut rrugor në Madrid, Policia Kombëtare spanjolle bashkëpunon me Policinë Bashkiake, sidomos në rast aktivitetesh të mëdha.
Sa i përket sistemeve dhe pajisjeve që përdoren për monitorimin e trafikut, përkatësisht identifikimin e shkeljeve të ndryshme dhe sistemin e gjobave, punonjësit e Policisë rrugore spanjolle thanë se ato janë të lidhura online dhe të aksesueshme në kohë reale.
“Kamerat e trupit regjistrojnë automatikisht kur ka një ngjarje dhe janë të lidhura online në Icloud. Çdo punonjës ka kamerën e vetë, me të cilën regjistron njëkohësisht ngjarjen, nga kënde të ndryshme”, shpjeguan policët spanjollë.
Ministri Balla u interesua edhe për pajisjet dhe metodat e kontrollit për drejtuesit e mjeteve që konsumojnë pije alkoolike apo substanca të ndaluara dhe me këtë rast atij iu demonstrua edhe funksionimi i pajisjes.
Ministri Balla po zhvillon një vizitë zyrtare në Spanjë, ku do takohet me homologun e tij, ministrin e Brendshëm të Spanjës Fernando Grande-Marlaska dhe drejtues të lartë të Policisë spanjolle./ata