Në Qeverinë e Kosovës është lansuar kategoria E-Komuna, një kategori e re në kuadër të platformës shtetërore të shërbimeve digjitale E-Kosova.
Në ceremoninë e lansimit të E-Komuna nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), mori pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, kryetarë të komunave dhe përfaqësues tjerë të institucioneve në vend.
Kryeministri Kurti tha se në rrugëtimin e digjitalizimit duhet siguri që asnjë qytetar të mos mbetet mbrapa dhe që përfitimet nga digjitalizimi t'i gëzojnë edhe ata që nuk kanë qasje në pajisjet teknologjike. Ai tha se shërbimet në kuadër të E-Komuna do të rrisin interaksionin ndërmjet organeve komunale dhe qytetarëve duke e bërë qytetarin pjesë aktive të vendimmarrjes.
"Qëllimi është të ndërtohet një linjë e drejtpërdrejtë komunikimi në mes të qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre në nivelin lokal. Për më tepër kjo platformë do të përmirësojë transparencën dhe llogaridhënien brenda administratave tona komunale", theksoi Kurti.
Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi tha se platforma E-Kosova shërben për rritjen e efikasitetit të shërbimeve për qytetarët. Ai shtoi se përmes E-Kosova qytetarët do të informohen në kohë reale për të rejat në komunën përkatëse, do të kenë të dhëna të hapura dhe të qasshme.
"Disa nga shërbimet që planifikohen të publikohen në platformën E-Kosova si rezultat i implementimit të shërbimeve nga E-Komuna, në fazën e parë janë: Transmetimi direkt i mbledhjeve të Asambleve Komunale, qasje tek pasuria e zyrtarëve komunalë, raportimi për problemet tek komunat përkatëse, biseda me zyrtarin komunal, informacioni mbi komunat, inicimi dhe pjesëmarrja në debatet publike", theksoi Krasniqi.
Sipas tij, në fazën e dytë do të përfshihen shërbime tjera, si mbledhja e tatimit komunal, zhvillimi i modulit për investime kapitale, zhvillimi i sistemit për menaxhimin e granteve dhe të tjera.
Në kuadër të platformës shtetërore E-Kosova janë 880 mijë përdorues të regjistruar ku ka mbi 155 shërbime elektronike, përfshirë certifikatat e digjitalizuara të gjendjes civile, faturat e tatimit në pronë dhe gjobave në trafik, vazhdimin e regjistrimit të veturës e të tjera./aa