Një stuhi e fortë rëre ka përfshirë Pekinin dhe disa provinca veriore në Kinë, duke e mbuluar rajonin me re të dendura pluhuri portokalli dhe duke e çuar ndotjen e ajrit në nivele të rrezikshme, thanë autoritetet shtetërore të motit të mërkurën.
Retë e dendura ‘mbytën’ kryeqytetin kinez, ku indeksi i cilësisë së ajrit të PM10 – grimcat e ndotjes që janë më pak se 10 mikrometra në diametër dhe mund të hyjnë përmes hundës dhe të udhëtojnë në mushkëri – kanë tejkaluar grafikët e monitorimit, sipas Qendrës së Monitorimit të Mjedisit Ekologjik të Pekinit.
Autoritetet meteorologjike në Pekin paralajmëruan njerëzit që të mos dalin jashtë për aktivitete spotive dhe u kanë kërkuar drejtuesve të mjeteve të ulin shpejtësinë për shkak të dukshmërisë së ulët.
Përqendrimet e grimcave PM10 arritën 1,667 mikrogramë për metër kub deri në orën 6 të mëngjesit me orën lokale, me agjencinë që e quajti atë “stuhinë më të rëndë të rërës deri më tani këtë vit”. Kjo shifër është më shumë se 37 herë më shumë se udhëzimi mesatar ditor prej 45 mikrogramë për metër kub të përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Pekini goditet rregullisht nga stuhitë e rërës në pranverë me smogun që përkeqësohet nga rritja e aktiviteteve industriale dhe shpyllëzimi i shpejtë në të gjithë Kinën veriore.
Kina përdor një sistem paralajmërues moti me katër nivele, ku e kuqja përfaqëson paralajmërimin më të rëndë, e ndjekur nga portokallia, e verdha dhe bluja.