Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka marrë pjesë në sesionin e 133-të të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës (KiE), ndërkohë ai ka deklaruar se Kosova meriton të jetë pjesë e KiE-së.

Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se ministri Hasani theksoi se mos marrja e një vendimi për anëtarësimin e Kosovës, në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur në mishërimin e parimeve të kësaj organizate.

Në përfundim të sesionit të 133-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Hasani u shpreh se pala shqiptare do vijojë përpjekjet e saj për të përmbushur çfarë i detyrohet popullit të Kosovës.

“Shpreha keqardhjen tonë që ky ministerial nuk ishte në gjendje të shqyrtonte kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Mbështetja dërrmuese e Asamblesë Parlamentare në prill pasqyroi një përkushtim për solidaritet dhe përparim që duhet të ketë zë. Është e nevojshme që edhe qeveria e Kosovës të veprojë menjëherë për përmbushjen e zotimeve të ndërmarra”, është shprehur Hasani.

Kryediplomati i Shqipërisë gjithashtu theksoi se solidariteti me Ukrainën mbetet parimor në mbrojtje të trashëgimisë dhe vlerave mbi të cilat u ngrit Këshilli i Evropës.

“Sa i takon vendit tonë, falë anëtarësimit në këtë organizatë 29 vjet më parë, Shqipëria ka njohur arritje të jashtëzakonshme në të tre shtyllat e kësaj organizate, falë ekspertizës, asistencës dhe mbështetjes së një sërë mekanizmash dhe instrumentesh që burojnë nga sistemi i Konventave të Këshillit të Evropës”, deklaroi ministri Hasani.

Gjatë vizitës së tij në Strasburg, ministri Hasani zhvilloi edhe disa takime dypalëshe me homologë të tij nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës./aa