Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e UN Women në Shqipëri, Michele Ribotta dhe anëtarë të Komisioneve Parlamentare, Aleancës së Grave Deputete.
 
Koçiu tha se, gjatë takimit diskutuan për raportin kombëtar mbi zbatimin e Deklaratës dhe Platformës për Veprim të Pekinit në të cilin janë reflektuar arritjet dhe sfidat në lidhje me barazinë gjinore dhe të drejtat e vajzave dhe grave në vend.
 
“Qeveria shqiptare dhe MSHMS gjatë viteve të fundit kanë shënuar hapa të rëndësishëm në përmirësimin e politikave dhe programeve me në fokus barazinë gjinore në të gjitha nivelet, forcimin e kapaciteteve zbatuese të institucioneve tona dhe zgjerimin e shërbimeve sociale te integruara”, u shpreh ministrja.
 
Sipas saj, në draftraport, Grupi Ndërinstitucional i Punës pas disa konsultimeve me përfaqësues të Agjencive të Kombeve të Bashkuara, institucioneve të pavarura të të drejtave të njeriut, organizatave të shoqërisë civile, Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë dhe organizatave ndërkombëtare në vendin tonë ka përcaktuar 5 objektivat kryesore që duhet të ndiqen nga pushteti qendror dhe vendor.
 
Koçiu bëri të ditur se, “arsimi cilësor, trajnimi dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës për gratë dhe vajzat; eliminimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave; gratë në sipërmarrje dhe sipërmarrjet e grave; përfshirja digjitale dhe financiare për gratë; mbrojtja sociale e përgjegjshme gjinore, janë 5 objektivat kryesore në prioritet të punës së pushtetit qendror dhe vendor”./ata