Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nis sot një vizitë në Tokio të Japonisë, ku do të përfaqësojë edhe rrjetin e qyteteve anëtare të B40-ës, Presidencën e së cilës këtë vit e mban Tirana.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj njofton se do të takojë kryetaren e bashkisë së Tokios, Yuriko Koike, ndërkohë që do të promovojë edhe Zonën e Lirë Ekonomike “TEDA Tirana”, për kompanitë japoneze në fushën e teknologjisë.
“Jam këtu në Tokio për një vizitë të shkurtër, ku do të përfaqësojmë B-40, Presidencën e të cilës e ka Tirana, por ndërkohë duam të reklamojmë edhe Zonën e Lirë Ekonomike – Sumitomo dhe disa kompani të tjera janë tashmë pjesë e qarkut të Tiranës dhe po bëjnë një punë të shkëlqyer, por kemi gjithmonë hapësirë për të mësuar më shumë nga ata që, teknologjinë e informacionit dhe botën digjitale e kanë prekur përpara nesh”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se “do të kemi takime edhe me kryetarin e bashkisë, Yuriko Koike, një mikeshë e Shqipërisë, bashkë me një grup deputetësh, të cilët drejtojnë skuadrën e miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë në Parlamentin japonez”.
Veliaj tha se ka planifikuar edhe një takim me komunitetin “modest, por shumë simpatik”, të familjeve shqiptare-japoneze në Tokio./ata