Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT) shënuan rritje përgjatë 4 muajve të parë të vitit.
Sipas treguesve fiskalë paraprak të publikuar së fundmi nga Ministria e Financave, këto të ardhura u realizuan në masën 51.2 miliardë lekë, 7.2 miliardë lekë ose 16.3% më shumë se 4 mujori 2023.
Të ardhurat kishin realizim 103.3 % të planit për 4 mujorin 2024.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi gjatë diskutimeve në Kuvend, se ende ka paga të nëndeklaruara dhe se shteti paguan rreth 480 milionë euro në vit për të mbuluar diferencën e skemës dhe për të paguar për shtresat në nevojë.
“Vetëm për vitin 2023 kemi patur 8.6 % indeksim të pensioneve, me një kosto prej 120 milionë eurosh në buxhet për 2024. Në vitin 2022 patëm dy herë indeksime, 3.3 % dhe 6 %. Janë 480 milionë euro në vit që shteti paguan për të mbuluar diferencën në skemën e pensioneve si dhe financimin e skemave të tjera mbështetëse që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës së shtresave në nevojë“, tha ministri./ata