Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një deklaratë për mediet sot, u shpreh kundër martesave të individëve të të njëjtit çift.
Gjatë një deklarate për mediet, Meta u shpreh edhe kundër pr/ligjit për shëndetin seksual dhe riprodhues.
“Rilindja po tenton të shkatërrojë institucionin e familjes, duke ndërmarrë një sulm të drejt për drejt ndaj saj. Martesa e dy individëve të të njëjtës gjini, ligji për surrogacinë, legalizimi i kanabisit, tregues të vizionit të rilindjes për të devijuar nga familja normale dhe tradicionale shqiptare. Prindi 1 qeveria dhe prindi 2 bashkia, kanë në fokus dëmtimin e familjes. Dënojmë me forcë këto sjellje që devijojnë nga familja normale dhe tradita shqiptare”, tha Meta.
Meta u ndal edhe te operacioni i SPAK që çoi në goditjen e 7 grupeve kriminale duke theksuar se “të gjitha faktet e bëra publike sot, janë ditur edhe para një viti, apo disa muajsh”.
“Operacioni ka karakter mediatik, rezultati pothuajse 0. Duhet të ishte vepruar para zgjedhjeve të 14 majit. Aty ishte metamorfoza, por duheshin ato grupe aty për të grabitur bashkinë e Shkodrës dhe të tjera”, tha ai.
Për vizitën e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Shqipëri, parashikuar për në datë 22 maj, Meta tha se: “Sekretari është i mirësardhur. Problemi i krimit dhe korrupsionit është agravuar në Shqipëri, veçanërisht dhe në raportin mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe”./ata