Franca ka nisur një operacion në shkallë të gjerë me më shumë se 600 xhandarë në Kaledoninë e Re, një koloni 17 mijë kilometra nga territori francez, me qëllimin për të shtypur incidentet e nisura nga banorët vendas në përgjigje të dhënies së të drejtës të votës për qytetarët francezë.
Ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, në platformën sociale X njoftoi se operacioni përfshin rreth 600 xhandarë.
Darmanin tha se qëllimi i operacionit është rivendosja e rendit republikan dhe rimarrja e kontrollit të rrugës kryesore 60 kilometërshe midis kryeqytetit Noumea të Kaledonisë së Re dhe aeroportit.
Komisioni i Lartë i Republikës në Kaledoninë e Re njoftoi se pothuajse 60 postblloqe u neutralizuan me ndihmën e xhandarmërisë kombëtare dhe policisë.
Darmanin njoftoi se mbi 200 persona janë arrestuar dhe 20 dyqane ushqimore janë rihapur deri më tani në rajon.
Ai tha se qeveria franceze e di se ka ende shumë pengesa për të pastruar dhe se ata u dhanë urdhra të prera njësive të zbatimit të ligjit.
Që nga e hëna e kaluar, të paktën gjashtë persona janë vrarë në trazirat në Kaledoninë e Re dhe qindra janë arrestuar.
Protestat shpërthyen pasi Asambleja Kombëtare Franceze miratoi reformën kushtetuese për rregullat e votimit. Reforma do t’u japë shtetasve francezë, të cilët kanë jetuar në ishull për të paktën 10 vjet, të drejtën për të votuar në zgjedhjet lokale.
Të mërkurën, presidenti francez, Emmanuel Macron, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në arkipelag dhe vendosi personelin e ushtrisë në rajon./aa