Dronët ukrainas kanë shënjestruar Moskën në një prej sulmeve më të mëdha të këtij lloji ndaj kryeqytetit rus, tha kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin.
Përmes një postimi në Telegram, ai tha se në orët e para të 21 gushtit mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar dhjetë dronë.
“Kjo është një nga përpjekjet më të mëdha ndonjëherë për të sulmuar Moskën me dronë”, shkroi Sobyanin, duke shtuar se nuk është raportuar për viktima apo dëme materiale.
Ndaras, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 45 dronë ukrainas.
“Njëmbëdhjetë dronë u rrëzuan mbi rajonin e Moskës, 23 mbi rajonin Brjansk, gjashtë mbi Belgorod, tre mbi rajonin Kaluga dhe dy mbi rajonin Kursk”, u tha në njoftim.
Ky njoftim nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur, ndërkaq Ukraina nuk ka komentuar për këto raportime.
Muajve të fundit, Kievi – që po përballet me pushtimin e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022 – ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj territorit rus. Ndërkaq, më 6 gusht trupat ukrainase nisën një inkursion të befasishëm në rajonin rus të Kurskut./TopChannel