Mijëra izraelitë mbrëmë kanë demonstruar në Kudsin Perëndimor duke kërkuar rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zgjedhje të parakohshme.

Protestuesit bllokuan hyrjen kryesore të qytetit mes thirrjeve për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme dhe rrëzimin e qeverisë aktuale.

“Zgjedhje tani” dhe “Duam qeveri të përgjegjshme” ishin ndër pankartat që mbanin në duar protestuesit.

Pamjet e shpërndara në mediat sociale treguan disa kolonë të paligjshëm duke sulmuar verbalisht demonstruesit me gjuhë të turpshme.

Policia tha se tre protestues u arrestuan.

Protestuesit gjithashtu kërkonin një marrëveshje shkëmbimi pengjesh me grupin palestinez Hamas.

Hamasi, nga ana e tij, kërkon dhënien fund të ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës në këmbim të çdo marrëveshje pengjesh me Tel Avivin.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Pothuajse 35.400 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.300 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar pas një sulmi nga Hamasi.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi, si dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa