Kryeministri Edi Rama thotë se ai nuk synon të ‘përzihet’ me partinë e vetë ndonjëherë as në Kosovë e as në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për median e Kosovës, Nacionale, Rama thotë së në ditën kur kryeministri Albin Kurti prezantoi kandidatët e VV-së në Shqipëri dhe 'shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë'.
“Albini është opozitar profesionist. Pres ditën kur Albini do dalë të protestojë kundër qeverisë së vet. I vetmi që mund ta rrëzojë Albin Kurti, është vetëm Albin Kurti. Ai nuk përmbushet nga epshi vet rrevolucionar dhe shkon në Maqedoni, vjen në Shqipëri. Unë s’e imagjinoj dot jo të shkoj të bëj degë në Kosovë, por s’e imagjinoj dot të futem të them atje se cka bën Qeveria për popullin e Kosovës dhe cka nuk bën.
Ditën që Albini ka ardhë me i prezantu kandidatët, ka ngrënë spageti me mua. Dhe do të hajë prapë kur të vijë të prezantoje kandidatët. Mu më thonë shpesh shqiptarët si mund ta trajtosh kështu vëllain e vogël. Vëllai i vogël bën edhe kështu dhe s’ke cka i bën”, thotë Rama për Nacionale.
Në një pjesë të intervistës, kryeministri Edi Rama, foli edhe për deklaratat e zv.kryeministrit serb Vulin, se vetëm bota serbe mund ta ndalë Shqipërinë e Madhe. Rama i qëndroi së njëjtës deklaratë që ka dhënë, se fytyra e tij është përgjigja më e mirë për këtë deklaratë.
“Njeriu pasi mbush 40 vjec, mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Nuk është çështje je i bukur apo nuk je i bukur dhe në rastin e një çehre si ajo e atij, përgjigja më e mirë është fytyra e vetë”, thotë ai.
Kryeministri thotë se turi i tij i vizitave në diasporë, do të vazhdojë edhe në vende të tjera.
“Kishim kohë që kishim vendos të bënim një tur në diasporë. Pastaj, para ca muajsh vendosëm ta fillojmë në Greqi, do të jemi në Itali, në Londër dhe në Gjermani.
Natyrisht që do ta fillojmë nga Greqia, pa diskutim sepse është ajo pjesë e shqiptarëve sot, që meriton të jetë e para të vizitohet sepse ka kaluar edhe kaloarin më të egër, apo jo”, thotë Rama.
Shqiptarja