Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka zbuluar se sëmundjet kardiovaskulare janë përgjegjëse për 40% të vdekjeve në Evropë, që arrijnë në 10,000 vdekje në ditë, ose katër milionë në vit.

OBSH po u kërkon evropianëve të reduktojnë konsumimin e kripës.

“Zbatimi i politikave të synuara për të reduktuar konsumin e kripës me 25% mund të shpëtojë rreth 900,000 jetë nga sëmundjet kardiovaskulare deri në vitin 2030,” tha në një deklaratë Hans Kluge, drejtori i degës së OBSH-së në Evropë.

Në Evropë, një në tre të rritur midis moshës 30 dhe 79 vuan nga hipertensioni, shpesh për shkak të konsumit të kripës, raportoi AFP. Ndërkohë, 51 nga 53 vendet në rajonin evropian të OBSH-së kanë një konsum mesatar ditor të kripës mbi maksimumin e rekomanduar të organizatës prej pesë gramë, ose një lugë çaji.

Kjo është kryesisht për shkak të ushqimeve dhe sidomos ushqimeve të përpunuara.

“Konsumi i lartë i kripës rrit presionin e gjakut, i cili është një faktor rreziku kryesor për sëmundjet kardiovaskulare, si sulmet në zemër dhe goditjet në tru”, tha OBSH.

Evropa ka prevalencën më të lartë të presionit të gjakut në botë, tha ai.

Sipas raportit të OBSH-së në Evropë, burrat në rajon kanë pothuajse 2.5 herë më shumë gjasa të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare sesa gratë. Për më tepër, probabiliteti për të vdekur të rinj (30-69 vjeç) nga sëmundjet kardiovaskulare është gati pesë herë më i lartë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore krahasuar me Evropën Perëndimore./BalkanWeb