Këshilli Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) organizoi sot takimin ndërgjegjësues me temë “Roli i shoqërisë civile në procesin e integrimit”, ku morën pjesë përfaqësues të disa prej organizatave të shoqërisë civile dhe partnerë socialë që veprojnë në vendin tonë.

Në nisje të takimit, Jorida Tabaku, kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, theksoi rëndësinë e takimit dhe rolin e shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse që lidhen drejtpërdrejtë me procesin e integrimit.

Duke u fokusuar në dy momente kryesore: debati për propozimin e fundit të qeverisë për thellimin e reformave dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe rëndësinë e diskutimit të çështjeve të lëna jashtë vëmendjes së politikës, Tabaku theksoi nevojën e rritjes të rolit të shoqërisë civile dhe pasjen e një debati kombëtar gjithëpërfshirës.

Duke iu referuar momentit në të cilin ndodhet vendi, Tabaku theksoi nevojën e gjetjes së hapësirave dhe mekanizmave të duhur për përfshirjen e shoqërisë civile në diskutimet lidhur me ndërhyrjet në reformat qeverisëse apo reformimin e institucioneve, duke mos i parë si diskutime thjesht politike, por si ndërhyrje që lidhen direkt me procesin e integrimit në BE.

Tabaku ftoi pjesëmarrësit të japin opinione dhe sugjerime konkrete se si KKIE, një strukturë ku shoqëria civile është pjesë përbërëse, të mund të jetë më aktive dhe të japë një kontribut real dhe të dobishëm në ndryshimet e nevojshme ligjore që do ti paraprijnë procesit të integrimit, por dhe diskutimeve më të fundit për reformat dhe paketën anti-korrupsion.

Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e shoqërisë civile ngritën shqetësimin e mosnjohjes së masave dhe “udhërrëfyesve” të hartuar nga qeveria në lidhje me kapitujt që pritet të hapen pas përfundimit të procesit “screening”, axhendën e reformave ekonomike, si dhe rëndësinë që ka procesi i konsultimit të projektligjeve dhe përfshirjes së shoqërisë civile përpara miratimit të ligjeve në struktura dialogu.

Pjesëmarrësit në takim propozuan një rritje të vëmendjes ndaj diskutimit të temave që lidhen me tregun e lirë dhe konkurrencën e lirë; perspektivën ekonomike të vendit pas miratimit të Planit të ri të Rritjes; të drejtat e njeriut; të drejtën evropiane të punës, mbrojtjen e konsumatorit, planifikimin e buxhetit në BE por dhe për Ballkanin Perëndimor për vitet 2028-2034, dialogun social, komunikimin e duhur me qytetarët lidhur me të drejtat dhe detyrimet që do të shoqërojnë procesin e integrimit në BE, etj./ata