Numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës nga sulmet vdekjeprurëse të Izraelit është rritur në 35.562 që nga 7 tetori, tha sot Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar.
Të paktën 79.652 njerëz janë plagosur gjithashtu gjatë ofensivës brutale izraelite, shtoi ministria në një deklaratë.
"Sulmet izraelite vranë 106 persona dhe plagosën 176 të tjerë në 24 orët e fundit", tha ministria.
"Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t'i arrijnë ata", shtoi ajo.
Izraeli po e vazhdon ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte armëpushim të menjëhershëm në enklavë.
Më shumë se shtatë muaj që nga fillimi i luftës izraelite, një pjesë e madhe e Gazës po qëndron në gërmadha, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa