Mali i Sharrit, që shtrihet në pjesën juglindore të Kosovës dhe në veriperëndim të Maqedonisë së Veriut, është një zonë unike peizazhi që ka plot livadhe të harlisura, kullota të pafundme dhe maja madhështore, si dhe është një nga potencialet më të mëdha të pashfrytëzuara të turizmit si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.
Masivi i Malit Sharr ndodhet në zonën kufitare të tre shteteve, respektivisht në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut, në pjesën juglindore të Kosovës dhe në atë lindore të Shqipërisë. Ky mal është rreth 80 kilometra i gjatë dhe i gjerë nga 10 deri në 20 kilometra.
Ai shtrihet midis fushëgropës së Pollogut dhe rrjedhës së sipërme të Vardarit në juglindje, luginës së Lepencës në veri dhe fushës së Prizrenit në lindje, ndërsa në jug në Liqenin e Mavrovës.
Pjesa më e madhe e këtij mali, përkatësisht 56 për qind e sipërfaqes, i përket Maqedonisë së Veriut. Pjesa kosovare e malit përfshihet në parkun kombëtar me të njëjtin emër, i themeluar në vitin 1986, që mbulon rreth 39 mijë hektarë.
Biogjeografikisht dhe ekologjikisht, parku kombëtar i Malit Sharr përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura në Ballkanin qendror, natyra e të cilit është relativisht e paprekur.
Në masivin e tij ka shumë maja mbi 2.000 metra mbi nivelin e detit, nga të cilat 43 maja janë mbi 2.500 metra, më e larta prej të cilave është Maja e Turkut të Madh (Maja e Titos) në Maqedoninë e Veriut me 2.747 metra mbi nivelin e detit.
Majat malore dhe liqenet akullnajore e bëjnë zonën malore të Sharrit një peizazh unik, të bollshëm me burime minerale dhe rrjedha ujore. Kullotat janë të mbushura me lule mali dhe mjekësore.
Pyjet gjetherënëse arrijnë një lartësi prej afërsisht 1.200 metra, pyjet halore shtrihen deri në 1.700 metra dhe mbi të është një zonë kullotash të larta malore ku zhvillohet blegtoria.
Çdo kohë e vitit e shpalos bukurinë e kësaj zone në mënyra të ndryshme, por shpesh ndodh që katër stinë të ndryshojnë brenda një dite.
Tani për tani, bukurinë e maleve të Sharrit po e zbulojnë një numër i madh i alpinistëve dhe adhuruesve të natyrës. Ajri i pastër, numri i madh i ditëve me diell gjatë verës dhe shtigjet e bëjnë këtë mal një nga perlat e turizmit rekreativ, por potenciali i të cilit si destinacion turistik duhet të eksplorohet në mënyrë adekuate./aa