Kriza diplomatike mes Spanjës dhe Argjentinës u thellua sot, me udhëheqësin argjentinas që refuzoi të kërkojë falje për komentet e bëra në lidhje me gruan e liderit spanjoll.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez sot i bëri thirrje sërish presidentit argjentinas, Javier Milei, që të kërkojë falje që e quajti gruan e tij “të korruptuar” dhe ofendoi qeverinë spanjolle ndërsa ishte në Madrid të dielën.

“Midis qeverive ... respekti është i patjetërsueshëm”, tha Sanchez në një konferencë, duke shtuar se presidenti i Argjentinës “nuk është në nivelin e detyrës” për të udhëhequr marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve me lidhje kaq të ngushta.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, thirri gjithashtu ambasadorin e Argjentinës në Spanjë pasi tërhoqi për një kohë të pacaktuar ambasadorin e tij në Buenos Aires.

Si Sanchez ashtu edhe Albares kanë kërcënuar se do të marrin “masat e duhura” nëse qeveria argjentinase refuzon të kërkojë falje, megjithëse Albares tha në një intervistë me “La Sexta” se masa nuk do të prekë popullsinë e madhe argjentinase në Spanjë ose popullsinë spanjolle në Argjentinë.

Megjithëse Spanja ende kërkon një korrigjim, duket e pamundur.

Milei nuk ka komentuar drejtpërdrejt për përçarjen, por vetëm postoi në “X” pas kthimit të tij: “Përshëndetje të gjithëve! Luani është kthyer, duke bërë sërf mbi valën e lotëve socialistë”.

Sanchez i Spanjës i përket Partisë Socialiste dhe Milei i referohet vetes si “luani”.

Ministri i Brendshëm i Argjentinës, Guillermo Francos, i tha të përditshmes argjentinase “La Nacion” se Milei nuk do t’i kërkojë falje Spanjës “sepse nuk ka arsye”.

“Në vend të kësaj, ne do të ishim të kënaqur nëse lideri spanjoll do të kërkonte falje për abuzimin dhe keqtrajtimin”, shtoi ai.

Konflikti kryesor filloi të dielën kur Milei po fliste në një tubim masiv të së djathtës ekstreme në Madrid. Megjithatë, javët e fundit, ministri spanjoll i transportit la të kuptohet gjithashtu se Milei ka marrë drogë, diçka për të cilën më vonë kërkoi falje.

Milei ka qenë gjithashtu i lirë me fjalët e tij kur i është referuar udhëheqësve të kombeve të tjera.

Në janar, ai e quajti presidentin peruan Gustavo Petro “vrasës komunist” dhe në shkurt tha se Petro është “murtajë vdekjeprurëse", duke bërë që Kolumbia të tërhiqte gjithashtu ambasadorin e saj në Buenos Aires.

Gjatë fushatës së tij presidenciale vitin e kaluar, Milei e përshkroi liderin brazilian Lula da Silva si “majtist të egër, që mbështet diktatorët, shkel të drejtat e njeriut, autokratët me duart e tyre të lyera në gjak”./aa