Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Vjosës është gati për t’u konsultuar në publik.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës.

“Hedhim një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës, i fundmi lum i egër në Europë, ku tanimë është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar si një punë e kujdesshme dhe intensive nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN, duke qenë gati për t’u konsultuar në publik”, theksoi Rama në një reagim në rrjetet sociale.

Kryeministri nënvizoi se, “është radha e komuniteteve lokale, atyre që jetojnë aty e do t’i gëzojnë të parët frytet e parkut të ri, të bashkojnë zërin në planin për menaxhimin të Vjosës, e cila mbrohet si Park Kombëtar në 480 km vijë lumorë, në 12.000 hektarë sipërfaqe, me të tre degët e saj, nga hyrja në territorin e Shqipërisë e deri në grykëderdhje … e për të gjithë ata që i fryjnë një tymi pa zjarr se grykëderdhja e Vjosës është lënë jashtë kufijve të mbrojtjes, e kundërta është e vërtetë, se është dyfish Zonë e Mbrojtur si pjesë e Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe si pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro-Nartë për rëndësinë e jashtëzakonshme natyrore”.

“Dëgjesat publike për ata që dinë të dëgjojnë do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj”, u shpreh Rama.

Më datën 22 maj, në orën 10:00 dëgjesa do të kryhet në Prefekturën Fier. Më datën 22 maj, në orën 12:30 dëgjesa do të kryhet tek Pallati i Kulturës në Vlorë. Ndërsa më datën 23 maj, në orën 11:00 dëgjesa do të kryhet në Prefekturën Gjirokastër./ata