Këtë vit, më shumë se 238 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milionë dollarë të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga shpërndarja e librave falas në një shkollë të Tiranës, nismë që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje shqiptare.

“Nis shpërndarja e librave shkollorë falas për më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm, një mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet në prag të vitit të ri shkollor”, u shpreh Rama.

Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX që do të pajisen me tekste falas dhe rreth 12,500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.

Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.

Shpërndarja e librave do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të marrin tekstet e tyre në kohë. /ata