Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbrojtur sërish homologun e saj shqiptar Edi Rama në lidhje me çështjen e marrvëshjes mes dy vendeve për ndërtimin e dy qendrave të pritjes së emigrantëve.

Në fjalën e saj Meloni u shpreh se Italia përfiton nga lehtësimi i presionit në territorin italian dhe të pasurit një efekt bindës ndaj migrantëve të mundshëm të paligjshëm, të cilët mund të jenë shumë të fuqishëm.

“Ne do të përpunojmë kërkesat për azil në territorin shqiptar nën juridiksionin italian. Çfarë fitojmë? Ne do të përfitojmë nga lehtësimi i presionit në territorin italian dhe të pasurit një efekt bindës ndaj migrantëve të mundshëm të paligjshëm, të cilët mund të jenë shumë të fuqishëm”, tha Meloni e ftuar në emisionin “Mattino Cinque”, ne Canale 5. 

Ajo gjithashtu falenderoi Ramën dhe shprehu keqardhje për sulmet të cilat i cilësoi të pahijshme që po i bëhën homologut të saj në lidhje me marrëveshjen.

“Falënderoj qeverinë shqiptare dhe më vjen shumë keq për sulmet e pahijshme që po merr kryeministri Rama nga e majta italiane dhe europiane që ka bërë këtë marrëveshje për të ndihmuar Italinë”, tha Meloni.

Ndërkohë mediat italiane përmes një artikulli kanë nxjerrë edhë një herë në kujtesë mosmbajtjen e premtimit për të ndërtuar qendrat e Shqipërisë brenda 20 majit. “Huffington Post Italia” ka publikuar një shkrim të gjatë për këtë marrëveshje.

“Prej muajsh data e sotme, 20 maji, ishte shënuar me të kuqe në kalendarin e qeverisë. Duhet të ishte dita e hapjes së dy qendrave të emigrantëve në Shqipëri. Me afrimin e ditës “X”, filloi të bëhej e qartë, edhe për ekzekutivin, se ato dy objekte në veri të Shqipërisë që duhet të strehonin 3000 emigrantë që shkonin drejt Italisë në vit, nuk ishin as afër të qenit gati”, thuhet në shkrim./GazetaDita