Nga Kavaja, gjatë prezantimit të kandidatëve për Këshillin Bashkiak, drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj e quajti fyerje atë që po u bëhet demokratëve, të cilët në 14 Maj, Sali Berisha po u thotë të votojnë listën e njerëzve të Ilir Metës dhe ish-LSI.

 

“I them të gjithë demokratëve, mos u merrni me hallet e Ilirit dhe të Saliut se ato nuk i zgjidhni dot, por që të fyhet çdo demokrat i Kavajës dhe t’i kërkohet që të votojë listën e rublave të Ilir Metës, ku praktikisht po shitet Partia Demokratike, te armiku më i betuar i të djathtës, ky është mëkat i madh. Ndaj, ftesa për çdo demokrat është: O shokë, çunat dhe gocat e Partisë Socialiste, Redi Krajli dhe Këshilli ynë Bashkiak, janë përditë me ju, janë çdo orë me ju, jetojnë me ju, punojnë për ju dhe janë pjesë e skuadrës tonë fituese”, tha Veliaj.

 

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për këshilltarë bashkiakë do të shërbejë për të vijuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes Bashkisë dhe Qeverisë për projektet e ardhshme.

 

“Ata thonë ‘na jepni Bashkinë që të rrëzojmë Qeverinë’. Ne themi ‘na jepni Bashkinë që t’i shërbejmë, bashkë me Qeverinë, interesave të Kavajës’.  Këto 404 apartamente, pa ndihmën e qeverisë, nuk do të bëheshin dot; qendrat shëndetësore, pa ndihmën e qeverisë, nuk do të bëheshin dot; këto rrugë e këto ujësellësa, pa ndihmën e Qeverisë, nuk do të bëheshin dot. Ndaj, duke pasur Redin, duke pasur Këshillin Bashkiak të Partisë Socialiste, që nuk e braktis detyrën dhe i afron njerëzit, ne e përdorim Bashkinë si instrument për të bërë punë dhe jo si mjet për të hapur sherr”, tha Veliaj.

 

Veliaj u bëri thirrje simpatizantëve të opozitës që, në këto zgjedhje, të mbështesin PS dhe kandidatin e saj, pasi ndryshe nga PD dhe PL, socialistët nuk do i braktisin kurrë.

 

“Në qoftë se jeni me Partinë Demokratike votoni Redi Kralin dhe Partinë Socialiste, se nuk do të ikin kurrë nga detyra, nuk e harrojnë Kavajën, do jenë këtu përditë këtu”, u shpreh Veliaj.

 

Ai tha se halli i vetëm i Sali Berishës është shpallja “non grata” dhe jo qytetarët e Kavajës dhe të Shqipërisë.

 

“Halli i tij është se është shpallur person non-grata. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe e kanë shpallur të papëlqyer, të papranueshëm, persona non- grata. Ai e vuan këtë dhe e di çfarë thotë, thotë u bëftë halli im halli i të gjithëve”, tha Veliaj.