Përpara bashkisë së Tiranës opozita zhvilloi sot protestën e 33-të.

Deputetë të Partisë Demokratike bënë thirrje për dorëheqje të kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e akuzuar atë se është i përfshirë në korrupsion.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi hodhi akuza dhe në drejtim të SPAK, duke e konsideruar një institucion partiak, që vepron me urdhër nga qeverisja.

“Dumani ka një mision, që të burgosë liderin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pa prova, pa fakte, pa dëshmi, sepse ai ka mision të burgosi Liderin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishën, pa fakte, pa prova, pa dëshmi, sepse qëllimi i tij është të asgjësojë opozitën”, tha Blushi.

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu tha se  “luftojmë për të mbrojtur vlerat dhe parimet që na karakterizojnë si popull. Dhe Erion Veliaj dhe Edi Rama janë kërcënuesit kryesorë të atyre parimeve. Ne qoftë se duam të dimë se çfarë është të jesh proamerikan është të luftosh dhe të votosh për parimet demokratike, njësoj siç bënë në Amerikë të bëjmë edhe ne këtu”.

Në përfundim protestuesit qëlluan godinën e bashkisë së Tiranës me sapun. Prej disa kohësh opozita proteston përpara bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit si dhe kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj./ata