Puna për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza”, po vijon me ritme të shpejta. Kanë përfunduar afro 70% e punimeve fizike, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Hekurudhës, Ergys Verdho ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.

Ministrja Balluku e cilësoi këtë projekt si një ndër më të rëndësishmit duke theksuar se Qeveria Shqiptare prej kohësh ka nisur një strategji për rijetësimin e këtij sektori, ku Tiranë-Durrës është projekti i parë që do të pasohet edhe me projekte të tjera në të vijim.

“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme për sa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% e volumit të punëve të kryera, në ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimit Europian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej edhe tek dy projekte të tjera të rëndësishme, të sektorit hekurudhor, siç është Vorë-Hani i Hotit apo edhe projekti i Korridorit të VIII, projekte të cilat do të jetësohen edhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian. “Transporti hekurudhor ka fokusin e plotë të qeverisë, ka përparësi për sa i përket planeve tona strategjike dhe padyshim Tiranë-Durrësi do të shënojë projektin e parë i cili do të jetë edhe dallëndyshja e parë për rikthimin e këtij mjeti transporti”, nënvizoi Balluku.

Drejtori Verdho bëri të ditur se i gjithë projekti është i ndarë në 4 seksione. “Janë 4 seksione të këtij projekti. Fillon nga Durrësi deri në Shkozet. Nga Shkozeti deri në Vorë. Vorë-Tiranë dhe pjesa e katërt nga Kashari në Rinas, duke lidhur aeroportin me Tiranën dhe Durrësin”, tha Verdho duke shtuar se pjesë e projektit janë 9 ura, tetë prej të cilave tashmë kanë përfunduar. Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza” parashikohet që koha e udhëtimit të jetë 12 minuta, me 3 stacione, ndërkohë që Tiranë-Durrës përllogaritet në 22 minuta, me 8 stacione./ata