Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për fillimin e negociatave për lidhjen e marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Türkiyes.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të të dyja shteteve të drejtën e tyre në pensionet kontribut-paguese, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme, e cila parasheh edhe eksportimin e pensionit, kur një qytetar vendos të jetojë në njërin nga dy shtetet mund ta përfitojë pensionin varësisht se në cilin shtet ka vendosur të jetojë.
"Kjo marrëveshje nënkupton që qytetarët të cilët mund të kenë punuar në një shtet apo tjetrin, mund të vendosin që edhe t'i bashkojnë periudhat e kontributeve, apo edhe të vendosin ta eksportojnë pensionin, kur themi eksportojnë pensionin, nënkupton që dikush që ka punuar në Republikën e Türkiyes vendos të jetojë në Republikën e Kosovës, mund ta marr pensionin me vete apo anasjelltas", theksoi Murati.
Ai tha se po ashtu marrëveshja siguron shkëmbimin e informatave, që nënkupton që përmes komunikimit të dyja shtet mund të sigurohen që një qytetar nuk po merr pension nga të dyja shtetet duke mos e deklaruar të tillin.
Ministri Murati shtoi se në këtë aspekt bëhet edhe mirëmenaxhimi i buxhetit të të dyja shteteve sepse ka siguri dhe shkëmbim të informacionit./aa