Në Shkup është mbajtur aktivitet me rastin e "Javës së kuzhinës turke".

Şeyma Nur Ulusoy, bashkëshortja e ambasadorit të Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, organizoi një aktivitet me konceptin "Takimi i historisë, kulturës dhe natyrës: Shijet turke të Egjeut" me rastin e "Javës së kuzhinës turke".

Para drekës është përgatitur një nga gatimet e njohura të kuzhinës turke të rajonit të Egjeut, sarmës me vaj ulliri, dhe u zhvillua një garë e vogël mes të ftuarve.

Sarmat e bëra nga të ftuarit pjesëmarrës në garë u vlerësuan nga një juri profesionale.

Në këtë drejtim, si rezultat i vlerësimeve të jurisë, fituese e konkursit u shpall Yuanchu Yang, gruaja e ambasadorit kinez në Shkup.

Şeyma Nur Ulusoy, në fjalën e saj në aktivitet, rikujtoi se si rezultat i punës së nisur nën udhëheqjen e Emine Erdoğan, bashkëshortes së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, me mbështetjen e shefave dhe akademikëve të famshëm, u botua libri "Kuzhina turke" me receta shekullore të përbërë nga shijet e kuzhinës së pasur turke.

Ajo tha se ngjarjet e Javës së Kuzhinës Turke janë bërë tradicionale në Türkiye dhe shumë vende të botës.

"Kuzhina ka kuptime përtej plotësimit të nevojave thelbësore ushqyese për mbijetesë dhe është ndër elementët e rëndësishëm të ndërveprimit midis individëve dhe kulturave të ndryshme. Kuzhina Turke ka ndërvepruar si me kuzhinat e Lindjes së Mesme, Ballkanit, Mesdheut dhe Egjeut, Kaukazit dhe Azisë Qendrore, për shkak të zonave të gjera gjeografike me të cilat është ushqyer", tha ajo.

Ulusoy tha se kuzhina turke është e ndërthurur me atë të Maqedonisë e Veriut në kuadrin e marrëdhënieve të tyre të gjata historike dhe se ofrojnë shumë ushqime të përbashkëta të shijshme si byrekë, fasule, qofte dhe sarma.

Sipas saj, koncepti i Javës së Kuzhinës Turke të këtij viti do të përfshijë një menu të kuzhinës turke të rajonit të Egjeut që do të nxjerrë në pah dietën tradicionalisht të shëndetshme dhe të qëndrueshme mesdhetare dhe shijet e rajonit të Egjeut.

"Në recetat e këtij rajoni bien në sy vaji i ullirit, ullinjtë, zarzavatet, perimet, djathi vendas dhe delikatesat e vajit të ullirit. Sot do t'ju prezantojmë me disa shije me të cilat jeni njohur edhe më parë", theksoi Ulusoy.

Pas fjalimit dhe garës, të pranishmëve iu prezantuan shijet e rajonit të Egjeut./aa