OKB-ja ka akuzuar Rusinë se ka refuzuar të lejojë dërgesat e ndihmave në zonat e kontrolluara nga Moska të prekura nga përmbytjet pas shkatërrimit të digës Kakhovka pothuajse dy javë më parë.
“Qeveria e Federatës Ruse deri më tani ka refuzuar kërkesën tonë për të hyrë në zonat nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të saj”, tha në një deklaratë Denise Brown, koordinatorja humanitare e OKB-së për Ukrainën .
“OKB-ja do të vazhdojë të angazhohet për të kërkuar aksesin e nevojshëm. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar.
Ndihma nuk mund t’u mohohet njerëzve që kanë nevojë për të.
Deklarata vjen pasi autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se numri i të vdekurve nga përmbytjet ishte rritur në 52. Zyrtarët rusë thanë se 35 persona kishin vdekur në zonat e kontrolluara nga Moska dhe ministria e brendshme e Ukrainës tha se 17 kishin vdekur dhe 31 ishin të zhdukur, raportoi Reuters. Më shumë se 11,000 janë evakuuar nga të dyja anët.